Mesazh ndërgjegjësues !!!

Mesazh ndërgjegjësues !!!

Një burrë i moshuar ishte ulur dhe po qetësohej në bregun e një lumi.Në një moment sytë i pikasën një mace që kishte rënë në ujë dhe rrjedha e ujit po e merrte me vete. Ajo orvatej të dalë nga lumi por nuk ia dilte dot. Menjëherë i moshuari bëri atë që i diktoi ndërgjegja, përveshi këmbët, hyri në ujë dhe zgjati dorën të kapë macen e gjorë. Por, ndërkohë që sapo e kapi, macja i zgjati këmbët dhe e gërvishti të moshuarin. Instinktivisht ai tërhoqi duart dhe u tërhoq pas, por sërish i erdhi keq për macen që po mbytej dhe përsëri zgjati duart ta shpëtoje dhe për herë të dytë macja e gërvishti duke i ngulur thonjtë në lëkurën e regjur të plakut. Ai bëri pas, por sërish i erdhi keq, prandaj dhe iu afrua maces që përpëlitej në ujë që ta shpëtojë nga kthetrat e vdekjes. Ndërkohë që hidhte hapat drejt maces, një burrë në anën tjetër të lumit, i cili e kishte ndjekur të gjithë skenën, i bërtiti dhe i tha:”O plako! A nuk zure mend dy herët e para, që kërkon ta shpëtosh për të tretën?!” Megjithatë, plaku dukej sikur nuk e kishte mendjen fare tek kritika e këtij burri, edhe pse e dëgjoi mjaft mirë. Ai iu afrua maces dhe arriti ta nxjerrë nga uji. Pasi e la të lirë në tokë të thatë, i moshuari iu drejtua burrit nga ana tjetër:”O zotëri! Është natyra e maces të gërvishtë dhe është natyra ime të solidarizohem dhe të tregohem i dhembshur. Përse dëshiron të heq dorë nga natyra ime dhe të përvetësoj natyrën e maces?! Njerëzit duhen trajtuar sipas natyrës tënde dhe jo sipas natyrës së tyre, sido qofshin ata dhe sido qofshin sjelljet e tyre lënduese. Mos ua vër veshin atyre zërave që të nxisin për tu zhveshur nga vlerat e tua sublime, me pretekstin se të tjerët nuk e meritojnë mirësinë tënde. Kur jeton për të gëzuar të tjerët, në fakt, ti po gëzon veten tënde në rradhë të parë.”


Shkruaj një koment

Ju lutem vini re, komentet duhet të aprovohen përpara se të publikohen